“Shqipëria, Hollywood-i i ri i Ballkanit?” Ligji i ri propozon 35% rimbursim për investitorët e huaj

June 29, 2026

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri “Për kinematografinë dhe audiovizualin”, i cili ka për synim krijimin e një skemë të re mbështetjeje financiare për industrinë filmike dhe audiovizuale në Shqipëri.

Duke zëvendësuar një ligj të vjetruar të vitit 1996, ky kuadër i ri ligjor synon të krijojë një ekosistem modern që integron teknologjinë, investimet e huaja dhe nxitjen e prodhimit kinematografik vendas. Një nga shtyllat kryesore të kësaj reforme është transformimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK) në Agjencinë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit (AKKA). Ky ndryshim nuk është thjesht në emërtim, por një zgjerim i kompetencave që përfshin:

Vizion më të integruar: Përfshirjen e të gjithë spektrit audiovizual, si serialet televizive, videolojërat, veprat imersive (VR/AR) dhe platformat digjitale (OTT).
One-Stop Shop: Krijimin e Komisionit Shqiptar të Filmit (Albanian Film Commission) brenda AKKA-s, i cili do të shërbejë si pikë unike kontakti për lehtësimin administrativ dhe logjistik të produksioneve ndërkombëtare.

Mekanizmi “Cash Rebate” 35%, si magneti për investimet e huaja (FDI)

Risia më e rëndësishme ekonomike është skema e rimbursimit prej 35% të shpenzimeve të kualifikuara. Kjo nënkupton se nëse një produksion i huaj (p.sh. Netflix ose HBO) shpenzon 1 milion euro në Shqipëri për shërbime, paga, akomodim dhe logjistikë, merr mbrapsht 350,000 euro pas përfundimit të auditimit. Logjika fiskale: Edhe pse shteti “humbet” 35%, ai fiton 100% të qarkullimit ekonomik që ndodh në territor. Kjo përfshin TVSH-në e mbledhur nga hotelet dhe restorantet, tatimin mbi pagat e stafit lokal dhe rritjen e konsumit. Me 35%, Shqipëria bëhet një nga destinacionet më atraktive në Ballkan, duke sfiduar Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, dhe duke u afruar me Greqinë.

Lexo edhe: BEI 20 mln euro financim për bizneset shqiptare, ja si të përfitoni nga programi

Efekti multiplikator në ekonomi

Sipas raporteve ndërkombëtare (si ato të Oxford Economics), çdo 1 dollar i investuar në industrinë filmike ka një efekt multiplikator prej 2.5 deri në 3 herë në ekonominë lokale. Ndërsa flasim për sektorët përfitues, nuk është vetëm “arti” ai që do të ketë benefite, por edhe sektori i turizmit (akomodimi i trupave gjatë muajve jashtë sezonit), transporti, logjistika, ndërtimi (për skenografitë) dhe shërbimet juridike/financiare.

Ky projektligj synon të stimulojë atë që quhet ”turizmi i filmit”. Suksesi i një produksioni ndërkombëtar të xhiruar në Shqipëri shërben si një fushatë marketingu falas, duke rritur fluksin e turistëve në vitet pasuese (shembulli i Kroacisë me ”Game of Thrones”).

Krijimi i Regjistrit Kombëtar do të detyrojë profesionistët dhe shtëpitë filmike të operojnë me standarde biznesi. Kjo do të rrisë transparencën dhe do t’i bëjë subjektet filmike më të “bankueshme” (të afta për të marrë kredi apo financime private), pasi do të kenë një historik financiar dhe ligjor të certifikuar nga AKKA. Nga ana tjetrër, projektligji i ri nuk duhet parë si një akt administrativ për artistët, por si një platformë ekonomike për “Industry 4.0”.

Ai synon të shfrytëzojë koston e ulët të krahut të punës (krahasuar me BE-në), diversitetin gjeografik dhe tashmë kuadrin ligjor stimulues për ta kthyer Shqipërinë në një eksportuese të “përvojave ” dhe përmbajtjes digjitale.

Për sipërmarrjen shqiptare, kjo do të thotë mundësi të reja në:

  • Real Estate: Ndërtimi i studiove dhe sound-stages.
  • Tech: Zhvillimi i efekteve vizuale (VFX) dhe animacionit.
  • Shërbime: rritje e kërkesës për menaxhim projektesh dhe logjistikë të nivelit të lartë.

Nëse zbatohet me transparencë, ky ligj mund ta kthejë sektorin audiovizual në një kontribues të matshëm (0.5% – 1%) në PBB-në e vendit brenda dekadës së parë./ Businessmag.al

Shpërnda: Facebook X WhatsApp LinkedIn
← Të gjitha lajmet